Qeveria bën lëshime, por kamionistët në Brazil nuk e ndalin protesten

Greva e kamionëve që ka paralizuar Brazilin duket se do të vazhdojë ende, edhe pse qeveria ka vendosur ta lirojë çmimin e karburanteve.

Shumica e sindikatave të kamionëve kanë përkrahur zvogëlimin e çmimit të karburanteve për 45 centë brazilian, për litër. 

Mirëpo, janë disa sindikata që ende nuk po lëshojnë pe. Shoferët kanë bllokuar rrugët kryesore të vendit.

Qindra plantacione që prodhojnë thuajse gjithë etanolin e Brazilit kanë ndalur punën për shkak të mungesës së lëndëve djegëse, raporton BBC.

Greva ka pushtuar Brazilin, radhë të gjata shihen në pikat e karburantit, aeroportet kanë mbetur pa lëndë djegëse dhe dyqanet kanë mbetur me dollapë të zbrazur.

Qeveria po akuzon disa nga sindikatat se janë nxitur nga persona kundër qeverisë, kurse shumë protestues kanë kërkuar dorëheqje nga qeveria.