Kuba gjen kutinë tjetër të zezë të avionit të rrëzuar

Autoritetet kubane kanë gjetur kutinë e dytë të zezë që përmban të dhëna mbi fluturimin e avionit që u rrëzua pranë aeroportit ndërkombëtar të Havanës më 18 maj.

Një zyrtar vendor konfirmoi se kutia e zezë është identifikuar të enjten në zonën ku ndodhi aksidenti vdekjeprurës, gati një javë pas rrëzimit të avionit. Kutia e parë e zezë, që përmban zërat e regjistruar, u gjet disa ditë më parë. Avioni i cili kishte kohë që nuk i bëhej kontrolli rutinë para fluturimit, i përkiste një kompanie meksikane dhe ishte marrë me qira nga kompania ajrore "Cubana", shkruan CRI.

Në bordin e avionit ishin 113 persona, prej të cilëve mbijetuan vetëm dy. Zyrtarët kubanë thonë se duhet kohë më e gjatë për të kuptuar shkakun e saktë të aksidentit.