Superliga jep sot verdiktet e fundit. Vllaznia ose Kamza, njëra zbret nga kategoria

Kategoria Superiore jep sot verdiktet e fundit, pasi luhet java përmbyllëse e sezonit 2017-2018.

Sigurisht që vëmendja kryesore është në aksin Korçë-Tiranë, ku do të zhvillohen dy përballjet më të rëndësishme, Skënderbeu-Vllaznia dhe Partizani-Kamza, dy transferta për dy ekipet që janë në garë për qëndrimin në Superiore.

Në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës Vllaznia është e detyruar të fitojë, me shumë mundësi edhe me diferencë golash ndaj kampionëve të Shqipërisë, por edhe kjo mund të mos mjaftojë për qëndrimin kuqebluve në elitën e futbollit shqiptar.

Kamza, që luan me Partizanit, ka dy pikë më shumë dhe nëse fiton ndaj të kuqve e bën të pavlefshme suksesin e shkodranëve në Korçë me çfarëdolloj rezultati.

Nëse Kamza merr një pikë, Vllaznia duhet të fitojë me diferencë golash, madje në varësi të barazimit që mund të arrihet në kryeqytet, mund t’i duhet të shënojë 4 apo më shumë gola.

Kjo e mërkurë është një nga ditët më të rëndësishme në historinë e Vllaznisë, që mbetet klubi i vetëm në vend që nuk ka rënë kurrë nga kategoria. 90 minuta plot ankth, me sytë e veshët e një qyteti të tërë vetën nga futbolli.

Në takimet e tjera luhet më shumë për statistikë. Në “Zeqir Ymeri” Kukësi do të presë Flamurtarin në një sfidë që nuk ndryshon asgjë në objektivat e të dyja skuadrave, madje më shumë interes se rezultati ka lamtumira e Sindrit Gurit, që, përveç duartrokitjeve të publikut, mund të tentojë të shënojë disa gola për “Këpucën e Artë”, me Sowe të Skënderbeut që kryeson me një gol më shumë (21 me 20).

Laçi – Teuta nuk ka asnjë vlerë për “Djemtë e Detit”, që e kanë siguruar mbijetesën, ndërsa për krubinasit fitorja është detyrim për të siguruar Europa League-n nëpërmjet kampionatit (nëse konfirmohet pezullimi i Skënderbeut nga UEFA, si Partizani ashtu edhe Laçi do të luajnë në Europë).

Nëse fiton Partizani me Kamzën, atëherë edhe Laçit i duhet 3 pikët për të mos e humbur vendin e katërt.

Në “Roza Haxhiu” të Lushnjës, Luftëtari do të kërkojë ta mbyllë me fitore një sezon të mrekullueshëm, që po mbyllet me arritjen e një objektivi historik, pjesëmarrjen për herë të parë në histori në kompeticionet europiane.