Kapiteni i Laçit garanton Vllazninë: Nuk do ta tolerojmë Kamzën

Tashmë kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i këtij sezoni futbollistik në Kategorinë Superiore.

Ende nuk është dhënë verdikti përfundimtar për skuadrën që do i bashkëngjitet Lushnjës në Kategorinë e Parë.

Kamza dhe Vllaznia janë në “luftë” për qëndrimin në elitë. Kamzalinjtë janë më të favorizuar, pasi ndodhen 5 pikë para shkodranëve, megjithatë shpesh herë futbolli na ka treguar që zë vend shprehja “kurrë mos thuaj kurrë”.

Kapiteni i Laçit, Gentian Selmani, për “Newsport.al” ka thënë se Laçi nuk do të tolerojë në takimin ndaj Kamzës, pasi kërkon të arrijë në Kupat e Europës.

“Vllaznia apo Kamza? Po mendoj se është diçka shumë e vështirë për të dyja ekipet. Nuk kam preferenca se cila duhet të qëndrojë në Superiore, sigurisht që më vjen keq për Vllazninë, sepse është një klub i madh në futbollin shqiptar, por edhe Kamza ka bërë sezonin e saj.

Mendoj se gjithçka do të vendoset në javën e fundit. Por ne si ekip kemi objektivin tonë që është sigurimi i vendit të katërt që të çon në Europa League dhe do ta tentojmë fitoren që në ndeshjen e ardhshme atë kundër Kamzës”, ka thënë Selmani.