Përçarje te Chelsea një ditë para finales me Manchester United

Fantazisti i Chelseat, Willian, ka lënë të kuptohet se ka një përçarje te blutë e Londrës një ditë përpara finales së FA Cup.

Asi brazilian ka theksuar se ka një përçarje në dhomat e zhveshjes për shkak të trajnerit italian vetëm një ditë përpara sfidës ndaj Manchester United në “Wembley”.

Conte pritet të largohet nga blutë këtë verë pas një sërë marrëdhëniesh të prishura dhe një sezoni zhgënjyes në kampionat.

Dhe kur pyetet të tregojë për atmosferën në dhomat e zhveshjes nga “ESPN Brasil”, Willian për pak sa nuk i shpëtoi.

“Oh Zot! Me të vërtetë do ta dish situatën? Epo, disa të tjerë…më mirë të flasim një herë tjetër”, tha ai.

Braziliani nuk ka luajtur aq shumë sa do të kishte dashur gjatë javëve të fundit, duke nisur vetëm dy ndeshje nga minuta e parë në gjashtë takimet e fundit.

Tani mesa duket marrëdhënia e tij me trajnerin është e thyer, me Conten që njihet si një teknik që bën armiq. Dy emrat e fundit janë Diego Costa dhe David Luiz.