‘Banane me kokainë’, 400 mln euro drogë. Shqiptarët që po habitin Gjermaninë

‘Nga hashashi te kokaina’, ‘e pabesueshme’, ‘rekord’.

Këto janë disa nga cilësimet e mediave gjermane pas një super-operacioni që çoi në arrestimin e një bande shqiptare, të cilës iu kapën rreth 1 ton kokainë.

Operacioni u krye në zonën e Bavarisë. Shumica e të arrestuarve janë shqiptarë, disa prej tyre banorë në Gjermani.

Të mërkurën do jepen më shumë detaje për këtë ngjarje.

Por gazeta Bild shkruan se kjo bandë mendohet se ka trafikuar 1.8 ton kokainë me vlerë 400 milionë euro.

Ata mendohet se janë përgjegjës për një ngjarje që shokoi jo vetëm Bavarinë në shtator të vitit të shkuar.

Punëtori i një supermarketi gjeti një pako ngjyrë kafe në një kuti bananesh. I alarmuar ai thirri policinë, e cila konfirmoi se ishte kokainë.

Në mbarë supermarketet e vendit nisi një kontroll i ethshëm.

Në të paktën 10 supermarkete u gjetën pako të tilla me kokainë, të vendosura në kuti bananesh.

Në fund të kontrollit u gjetën në total plot 180 kg kokainë.

Vlera e tregut? 10 milionë euro.