'Të dorëhiqet Xhafaj': opozita bllokon dhe Komisionin e Ekonomisë

Opozita ka bllokuar edhe Komisionin e Ekonomisë duke kërkuar njëherazi dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, ministrit të Brendshëm.

Kreu i Grupit të PD, Edmond Spaho dhe deputetët e opozitës janë vendosur përballë mazhorancës në shenjë proteste; kreu i komisionit Erion Braçe ka tentuar të vendosë rregull dhe të shmangë aksionin e opozitës, por nuk ka mundur.

"Unë kërkoj t’u kërkoj ndjesë përfaqësuesve të institucioneve financiare këtu, - tha Edmond Spaho. - Kam respektin më të madh për ta; janë kolegë të nderuar, profesionistë; me disa prej tyre kemi punuar. Nuk ka të bëjë fare qëndrimi që po mbajmë këtu, ne kemi respekt dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ta. Por vendi ndodhet në një gjendje të tillë që nuk mund të rrimë indiferentë dhe të hiqemi sikur Kuvendi i Shqipërisë ndodhet në situatë normale. Nuk ndodhet në situatë normale. Prej disa ditësh ne kemi denoncuar një skandal shumë të madh: përfshirjen e ministrit të Brendshëm në trafikun e drogës. Sapo u shkarkua dhe gjoja u bë në arrest shtëpie, ministri i mëparshëm i Brendshëm, hapet një histori me ministrin tjetër të Brednshëm. Nuk di ndonjë vend tjetër në botë që të ketë kaluar në faza të tilla."

Deputetët e PD dhe LSI kanë vazhduar të qendrojnë disa ulur dhe disa në këmbë duke bërë thirrje për dorëheqjen e ministrit Fatmir Xhafaj ,ndërkohë që Braçe moralizonte se nuk ishte më sistemi kur një parti vendoste fatin e dikujt që mund të pushkatohet, por se duhet të funksiononin institucionet. 

"Jam shumë i sigurtë që duhet të funksionojë shteti - tha Braçe, -  dhe nuk është një parti politike që jep vendime. Deputeti vendosej të pushkatohej dhe pastaj ai pushkatohej vetë."

"Lëre tani këtë muhabet", qe reagimi nga opozita.

Braçe vazhdoi: "A ka mundësi të mbaroj unë?! Institucionet duhet të veprojnë."

Përplasja në komision vazhdon, PD është duke e transmetuar LIVE aksionin e saj opozitar.