'Derisa Xhafaj të japë dorëheqjen nuk do të ketë seanca normale': Opozita bllokon komisionin e Edukimit

"Derisa ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj të japë dorëheqjen nuk do të ketë as seancë dhe as komisione normale". Ky është paralajmërimi që Partia Demokratike i ka bërë sot, qeverisë nga salla e Komisionit të Edukimit.

Paralajmërimi i është drejtuar kryeministrit dhe qeverisë nga kreu i Grupit të PD, Edmond Spaho, i cili bashkë me deputetët e këtij komisioni kanë hyrë të gjithë në komision dhe nuk kanë lejuar zhvillimin e punimeve, por i kanë mëshuar me forcë denoncimeve të forta lidhur me vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, dënuar me 7 vite burg në Itali.

Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, ka debatuar me kolegët e PS-së duke u thënë se çfarë diskutimi mund të bëjmë ne për trashëgiminë kulturore, kur po i lini drogë dhe vetëm drogë fëmijëve tanë. “Mos heshtni, mos u bëni palë me krimin shtetëror,” bëri thirrje Vokshi.

Pas këtyre debateve, mazhoranca ka tentuar të kundërpërgjigjet dhe është larguar nga komisioni, për të mos u përballur me faktet.