Drejtori i Juventusit tregon planin e klubit për të fituar Champions League

Dybala nuk do të largohet nga “Zonja e Vjetër”. Këtë e thotë Marotta, i cili kërkon që Juventusi të arrijë në nivelin e Real Madridit dhe këtë nuk mund ta bëjë duke e shitur talentin argjentinas.

Drejtori i Përgjithshëm i Juventusit, Giuseppe Marotta, ia ka bërë të qartë PSG-së se Paulo Dybala nuk do të lëvizë nga “Zonja e Vjetër”.

Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, Marotta tha se synimi i Juves sezonin e ardhshëm është Champions League dhe për të arritur në nivelin e Real Madridit, që e konsideron klubin më të mirë në botë, duhet t’i mbajnë lojtarët premtues si Dybala dhe Bernardeschi.

“Vitet e fundit kemi qenë shumë afër triumfit në Champions, është dëshirë e klubit, lojtarëve, trajnerit e tifozëve, por është shumë e vështirë. Championsi është objektivi numër një sezonin e ardhshëm”, tha Marotta.

“Për të konfirmuar se duam të konkurrojmë me klubet më të mira, shembull Real Madridin, që momentalisht është klubi më i mirë në botë dhe mund ta fitojë sërish Championsin, duhet t’i mbajmë në skuadër më të mirët dhe të investojmë për të ardhmen dhe e ardhmja janë Paulo Dybala e Bernardeschi, që ende nuk kanë kapur moshën 26-vjeçare kështu që ata do të qëndrojnë këtu”, shtoi mes tjerash Marotta.

Marotta foli edhe për penalltinë e Lucas Vasquez. “Reali ishte superior, këtë e tregojnë rezultat e viteve të fundit. Është afër që ta fitojë sërish Championsin”.