Salianji-Xhafës: A po mbahet nën vëzhgim Agron Xhafa nga policia?

Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pavarësisht se është dënuar nga gjykata supreme në Itali me 7 vjet e dy muaj burg, për trafik droge, vijon të lëvizë i lirë.

Edhe gjatë ditës së sotme, PD, i kërkoi ministrit Xhafaj tu shpjegojë shqiptarëve se përse vëllai i tij lëviz i lirë, kur është i dënuar me burg.

Në një konefrencë për mediat, deputeti demokrat Ervin Salianji tha se ministri Xhafa vijon të mbrojë vëllain e tij kriminel duke heshtur.

‘Prej disa ditësh Partia Demokratike e ka pyetur Fatmir Xhafajn, nëse Agron Xhafaj është i skeduar dhe nën vëzhgim nga Policia e Shtetit, për shkak të aktivitetit të mëparshëm kriminal në trafikun e drogës?

Heshtja ka qenë përgjigja e Ministrit Fatmir Xhafaj edhe në këtë rast.

1. Shqiptarët mësuan të vërtetën që Agron Xhafaj nuk ka bërë asnjë ditë burg nga dënimi i dhënë nga drejtësia italiane.

Është e pamundur të besohet se pa vuajtur dënimin, personi i dënuar rehabilitohet, vetëm se i vëllai, pra Fatmir Xhafaj, e ka ndihmuar të reflektojë.

Nëse rehabilitimi arrihej me këshilla dhe reflektime, dhe jo me dënime, atëherë përse ekzistojnë burgjet?

Qëllimi i vuajtjes së dënimit është pikërisht rehabilitimi dhe riintegrimi shoqëror i personit të dënuar’, deklaroi Salianji.