Burgosja në shtëpi/ Kërkesa dhe vendimi, Policia në ruajtje të Tahirit...

Kërkesa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda drejtuar gjykatës për vendosjen e masës së sigurisë arrest me burg ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, mësohet se është bërë një ditë më parë. Ndërsa ditën e sotme, rreth orës 14, ka nisur seanca për shqyrtimin e masës së kërkuar nga organi i akuzës pa prezencën e ish-ministrit në sallën gjyqësore.

Burime nga Prokuroria thanë se është kërkuar masa e sigurisë së arrestit me burg pasi ka prova të reja që implikojnë ish-ministrin. Ndërkohë, avokati mbrojtës i Saimir Tahirit, në një reagim për mediat, është shprehur se do apelojë masën e sigurimit personal dhënë sot nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Sipas Maks Haxhisë, masa arrest me burg është dhënë pa asnjë provë të re ndaj ish-ministrit të Brendshëm.

Nga ana tjetër, edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të apelojë vendimin duke kërkuar arrest me burg për Tahirin. Edhe gjatë seancës së sotme, organi i akuzës bëri këtë kërkesë, por gjykata vendosi të japë një masë më të zbutur ndaj ish-ministrit, të akuzuar për përfshirje në trafik droge në bashkëpunim me grupin Habilaj. Brenda pesë ditëve nga vendimi, lind e drejta e animimit si nga prokuroria ashtu edhe pala e pandehur.

Në seancën e sotme, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Vendimi i gjykatës, që mban firmën e gjyqtares  Liljana Bako, urdhëron Tahirin të mos largohet nga banesa e tij, ndodhur në Tiranë, Rruga “Kodra e Diellit”, Pallati Nr.3. Fill pas kësaj, ish-ministrit i është komunikuar nga autoritet masa e dhënë nga gjykata e shkallës së parë. Ndërkohë, mësohet se Tahiri e ka mësuar vendimin teksa ndodhej në një kafe pranë banesës së tij, në shoqërinë edhe të avokatit të tij mbrojtës Maks Haxhia.

Tahiri akuzohet nga Prokuroria për kryerje të veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar në nenet 283/a dhe 333/a, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal.

Burime nga Prokuroria thanë se pas kërkesës së djeshme drejtuar gjykatës për masën e sigurisë arrest me burg ndaj ish-ministrit, i është kërkuar edhe Policisë që të mbikëqyret Tahiri. Vendim, që mësohet se është zbatuar nga policia, me forca policore që janë vendosur pranë banesës ku jeton ish-ministri.