Kur dëgjoj fjalën ‘gallatë’, dora më shkon tek koburja

Kur dëgjoj fjalën ‘gallatë’, dora më shkon tek koburja

Nga Sokol Shameti - 23/10/2016

A nuk është joserioziteti një formë subversive rezistence kundër regjimit? Ta provokosh përmes naivitetit tënd të qëllimshëm pushtetin dhe hijen e tij të rëndë? Ta banalizosh deri në poshtërim gjuhën me të cilën e trajton atë duke i shndërruar në rrangulla të pavlera të gjithë instrumentet me të cilat ai ushtron autoritetin e vet?

Është një aksiomë e vjetër: mosmarrja seriozisht e seriozitetit të pushtetit, vulgariteti yt përballë etiketës së tij formale është një nga mënyrat më efikase për ta relativizuar, për ta vënë në pikëpyetje dhe për ta privuar atë nga konteksti ku sundon. Mirëpo, ky pohim ka nevojë që në epokën tonë të shoqërohet me një pyetje thelbësore sqaruese: "Kush është tani pushteti?" A është qeveria ushtruesja e vërtetë e pushtetit në sistemin neoliberal ku jetojmë? Përgjigjja e kësaj pyetjeje ndoshta duhet ta bëjë secilin veprimtar anti-autoritar që minimalisht të rishikojë shënjestrën e vet duke njohur nevojën se kohët e reja lypsin një përditësim të ri të "teknologjisë" sonë të luftës.

Nga shumë pikëpamje, situata e sotme ngjan aq shumë me atë të Gjermanisë naziste të viteve '30. Harrojini marshet mbi Nyremberg dhe perceptimet mbi makinerinë e kronometruar ushtarake. Në realitet ajo çka ideologjia hitleriane ndërtoi ishte zbrazja e plotë e shtetit nga logjika dhe reduktimi i tij në një pajisje imponimi të mendimit të zhveshur prej çdo forme serioziteti. Nga ky aspekt, Gjermania e asaj epoke mund të shërbejë me tërë mend si ilustrim për një dukuri më të gjerë dhe aktuale se vetvetja. Ajo mund të shihet si një realitet ku sofistikimi i demokracisë thjeshtohet me mendjelehtësi në një figurë primordiale, atërore prej lideri dhe ku pastaj lideri degradon pa hasur asnjë rezistencë në një thuajse-klloun. Kemi kështu përpara një platformë ku vendin e arsyetimit e zë eksklamacioni dhe ilariteti si fast-food i kollajshëm për turmat. Ku prozaikes së ngadalësisë formale në vendimmarrje i imponohet befasia surprizuese e spontanitetit.

Një realitet ku nuk arsyetohet po ku ndiqet instikti. Ku nuk humbitet kohë me "filozofira" por i bihet shkurt me veprim. Ku nuk planifikohet por improvizohet. Ku të ndryshmit dhe "anormalit" s’ia kanë ngenë ta kuptojnë por direkt e përjashtojnë. Ku dija, ngaqë është e vështirë për t’u kapur, nuk konsumohet por stigmatizohet. "Kur dëgjoj fjalën 'kulturë', dora më shkon tek koburja". Lajtmotivi i famshëm i dramës më popullore në shtetin nazist të viteve '30 ngjan si kontekstualizim historik i realitetit të "estradës" së politikës së sotme shqiptare. Një deja-vu hegeliane që e bën të kaluarën të marrë kuptim vetëm si funksion shpjegues i së tashmes. A nuk është parlamenti shqiptar sot shfaqja më konsistente e humorit banal? A nuk është produkti i sotshëm i politikës tek ne një lëndë e boshatisur tërësisht nga thellësia e mendimit, nga ekspertiza dhe nga konsiderata për kritikën së cilës duhet t’i nënshtrohet? A nuk është në përgjithësi trupa e atyre që përbëjnë sot “klasën politike” tek ne një bashkësi komike figurash pa asnjë brendi serioziteti? “Kur isha i ri”, shkruan filozofi Sllavoj Zhizhek, “dekada më parë, miqtë e mi majtistë thoshin se meqenëse ata të pushtetit flasin me gjuhën polite dhe dinjitare të zyrtaritetit, për t’i provokuar duhej të bëheshim vulgarë me fjalët. Por sot është e kundërta. Populizmi i djathtë është ai që e servir vulgaritetin në hapësirën publike…

Kjo është mënyra sesi vepron përherë racizmi…E majta duhet të ripërvetësojë gjëra si korrektësia publike dhe mirësjellja”. “Nuk duhet të trembemi prej kësaj”, vazhdon Zhizheku, “kapitalizmi është bërë një hapësirë tmerrësisht vulgare”. Në fund pyetja që ngremë është: a mund të merret seriozisht një pushtet i tillë nëse pranojmë ta quajmë atë realisht “pushtet”? Sigurisht që jo. Mirëpo duke mos e marrë atë seriozisht, ne thjesht luajmë me rregullat e tij, pa i rrezikuar kurrgjë e pa i vënë asgjë në dyshim. Cili do ishte provokimi përballë joseriozitetit? Përballë joseriozitetit të një kryeministri-fyhrer të shndërruar në gaztor ambulant dhe një qeverie kukullash me kurdisje të selektuara ekskluzivisht për paaftësinë e vet për të qenë serioze, lufta e vetme që mund të bëhet është trajtimi i tyre me një seriozitet të pamëshirshëm.

Zhvleftësimi i qeverisë përmes mostrajtimit të saj seriozisht, nisur nga premisa se ajo "është pushteti", nuk është mënyra e duhur për të goditur pushtetin. Duhet që verbëria dhe naiviteti të jenë të qëllimshme për të mos vënë re se tani pushteti, ai i vërteti realisht orbiton jashtë qeverisë: tek grupet financiare, lobet tregtare, interesat e biznesit të cilat e shndërrojnë çdo qeveri - e majtë apo e djathtë qoftë - në një agjenci shërbimesh për interesat e tyre. Duket ironike. Dhe realisht është një ironi e madhe: pikërisht ky pushtet real i cili qëndron në hijen diskrete të një serioziteti të imponuar nga një mori mjetesh të sforcuara marketingu manipulativ, është njëherit edhe ai që trajtohet sot më seriozisht se gjithçka tjetër. Në realitetin armiqësor dhe të dhunshëm që ai ka ndërtuar ndaj nesh, ne e trajtojmë atë me respekt duke e përjashtuar nga ajo që ai realisht, si çdo pushtet do t’i trembej: talljes, provokimit dhe banalitetit. /Shkruar për SYRI.net/

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco