Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Wu Yuxia, një talente e pipës

Wu Yuxia, një talente e pipës

14:41, 28/10/2016
A+ Aa A-

Wu Yuxia është një instrumentiste e pasionuar që luan në pipa, një vegël muzikore tradicionale kineze me një jetë mbi 2 mijë vjeçare. Me origjinë nga Shandongu Wu jeton në Pekin, ku dhe luan në instrumentin tradicional prej mëse 50 vjetësh.

Tashmë një motiv i karrierës së saj si instrumentiste është promovimi i kulturës tradicionale te të rinjtë. Pas një kampi veror në Wuhan, kryeqendra e provincës Hubei ku drejtoi një grup prej 108 të rinjsh që ekzekutuan melodi orkestrale me pipa, 59 vjeçarja Wu gjatë muajit gusht dha disa koncerte në Sallën Koncertore të Qytetit të Ndaluar, në Pekin.

Koncertet u dhanë në kuadër të veprimtarisë së përvitshme "Porta e Muzikës", të organizuar prej 20 vjetësh me kujdesin e qeverisë kineze. Në koncert luhen pjesë nga muzika klasike kineze por edhe ajo folklorike e tradicionale.

Instrumentistja Wu performoi së bashku me një orkestër prej 17 fëmijësh të moshës 6-10 vjeç pjesë klasike si "Vallja e Egër" dhe "Gjarpri i Artë" të orkestruara nga kompozitori Nie Er. Wu performoi edhe si soliste.

Wu punon mjaft për edukimin e të rinjve me kulturën tradicionale kineze. Ajo ka drejtuar një sërë projektesh kulturore për kulturën në përgjithësi dhe muzikën tradicionale. Së fundmi Wu dha një koncert trio me studentët e saj në instrumentin e pipës, Zhang Ruige dhe Fan Juantong. Ata kanë nisur kursin e pipës me pedagogen Wu që në moshë fare të re dhe më pas kanë ndjekur studimet në Konservatorin e Muzikës, në degën e pipës.

Wu Yuxia, një talent në instrumentin e pipës

Wu nisi të studjonte instrumentin muzikor pipa që në moshën 10 vjeçare. Talenti i saj spikati menjëherë dhe prindërit e nxitën ta kultivonte atë më tej. Me nxitjen e të atit Wu nisi kurset e mësimit të pipës dhe fitoi disa konkurse instrumentale madje u bë dhe anëtare e orkestrës së fëmijëve të Shangait. Pas hapave të para Wu vendosi të ndiqte karrierën si instrumentiste profesioniste e pipës. Në vitin 1977 ajo erdhi në Pekin ku ndoqi studimet në drejtimin e mjeshtrave të pipës Wei Zuguang dhe Liu Dehai, profesorë të Konservatorit Qendror të Muzikës dhe Akademisë së Baletit në Pekin.

    Karriera e Wusë nisi ngjitjen kur ajo u emërua instrumentiste e parë e pipës në Orkestrën Kombëtare Tradicionale, pas diplomimit. Wu ka qenë pjesë e koncerteve të kësaj orkestre në skenat e mëdha botërore si në Golden Hall të Vienës apo në Qendrën e Koncerteve Lincoln të Nju Jorkut.

    Vitin e kaluar Wu ndërpreu punën si nëndrejtore e Orkestrës Kombëtare Tradicionale dhe nisi të punojë në Akademinë Kombëtare të Arteve të Kinës, e fokusuar në zhvillimin e programeve mësimore dhe promovimin e instrumentave tradicionalë. Çdo vit kjo instrumentiste e talentuar jep qindra koncerte brenda dhe jashtë vendit, por ajo që i intereson shumë në këtë periudhë të karrierës së saj është transmetimi brez pas brezi i kulturës tradicionale kineze dhe vlerave të çmuara të saj.

    Pipa kineze dhe historiku i saj

    Pipa është një instrument tradicional muzikor kinez, i ngjashëm me mandolinën, një ndër 4 instrumentët më të njohur popullorë në Kinë. Ajo ka një moshë 2 mijë vjeçare dhe madje studjuesit thonë se dhe vetë shqiptimi i emrit të instrumentit " pi-pa" lidhet me tingullin që prodhon ai. Në shkrimet e lashta kineze pipa përmendet qysh në vitin 2 p.e.s në një libër të studjuesit të Kinës së Lashtë, Xi Liu. Ky instrument muzikor u bë mjaft i njohur gjatë dinastisë Tang, kur dhe u regjistruan shumë pjesë muzikore të luajtura me pipa. Disa instrumente të lashtë janë zbuluar përgjatë Rrugës së Mëndafshit, pikërisht në provincën Gansu të Kinës në vitin 1900. Kinezët e kanë adhuruar pipën në shekuj.

    Gjatë sundimit të dinastive Ming dhe Qing mjaft shkolla të mësimit të pipës lulëzuan kryesisht në jug të vendit si në Wuxi, Suzhou dhe Shangai, ndërsa në veri, kryesisht në Pekin. Pipa luhet me gishtërinjtë e të dy duarve dhe teknika e luajtjes me këtë instrument është pasuruar me kalimin e viteve, duke e bërë atë një nga instrumentet më popullorë tradicionalë edhe në ditët tona. Shumë pjesë të repertorit të muzikës tradicionale kineze janë të luajtura me pipa. Vitet e fundit kompozitorët kinezë kanë krijuar vepra instrumentale ku përfshihet dhe pipa, që luhen nga orkestra simfonike me mjaft sukses./CRI

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco